§.693. Po i bani gadi te hollat detyrsi ne vade te caktueme, para sè t'i a dorzojë te zot’t do t'a bajë me dije dorzanin. §.694. Po kje sè detyrsi nuk muejt me i bâ gadi të hollat në vade të caktueme vetem prej skamit, dorzâni do të rrîjë gadi me là per'tê, e ketë me e pritë, sè "Dora e thatë s'kà uratë" e s'kà pse e qet në katund, pse vajin nuk i a veshtron: t'a kishte matë vedin para sè t'i hite dorëzanë. KRY I NANDËMBDHETËT. GJAKU E GJINIJA, VLLAZNIMI E KUMBARIJA NË KANU TË MALEVET. NYE I NJIQIDEPARË. Gjaku e gjinija e breza Shqyptarësh. §.695. Vargu i brêzavet të gjakut e të gjinis, shkon në të pasosun per Shqyptarin e malevet. §.696. Mahet vllà e fis me të gjith ata, prej së cillësh të parët e tij jânë dà heret a vonë. §.697. Katerqind zjarmesh me u dà Shqyptari, aj as mêrr as ep, d.m.th. nuk bân krushqi. NYE I NJIQIDEDYTË. Lisi i gjakut, lisi i tamblit, nip trungut e nip bijet. §.698. Brêzat rrjedhin a prej gjakut a prej gjinis. §.699. Brêzat e gjakut rrjedhin prej ânet të babës; brêzat e gjinis rrjedhin prej ânet të nânës. §.700. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të babës thirret "Lisi i gjakut". §.701. Rrjedhja e brêzavet prej ânet të nânës thirret "Lisi i tamblit".. §.702. "Nip trungu" a "mesë trungu" thirret aj varg mashkujsh a fêmnash, qi rrjedhun prej plangut të babës. §.703. Nip a mesë bijash thirret aj varg mashkuish a fêmnash, qi rrjedhin prej bijave të martueme. NYE I NJIQIDETRETË. Vllaznimi. §.704. Vllaznimi, qi bahet tui pî gjak, e ndalon krushqin pergiithmonë ndermjet të vllaznuemve, shpis së tyne e zjarmit të tyne. NYE I NJIQIDEKATERT. Kumbarija (Shengjonija). §.705. Shka âsht gjaku e gjinija per kah krushqija, ashtû âsht edhè kumbarija. §.706. Kumbarija e Shqyptarit të malevet âsht tri nduersh: a) kumbarija e Pagzimit, b) kumbarija e Kunorës, c) kumbarija e Flokvet.
Page:Kanuni i Lek Dukagjinit.pdf/61
Appearance